Ndryshimi i Kodit Penal, avokatët: Nuk ul kriminalitetin

Avokatët shprehen kundër draftit të Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, për ndryshimin e Kodit Penal që do të rrisë pragun e dënimeve për disa vepra të rënda penale. Sajmir Vishaj, kreu i Dhomës së Avokatëve penalistë, thotë për “AS” se kjo nuk e ul kriminalitetin.

“Rritja e masës së dënimit nuk ndikon në uljen e kriminalitetit. Mendoj se është një show politik që bëhet në prag të fushatës elektorale. Ndryshimet në legjislacionin penal kërkojnë gjithmonë ndryshime kushtetuese. Nuk ka lidhje gjykimi i shkurtuar me masën e dënimit. Në momentin e parë është paprekshmëria e akteve të marra gjatë hetimeve paraprake, qoftë të pavlefshme apo të papërdorshme, kurse në fund është benefici që i jep ligji proceduarial të pandehurit duke i ulur 1/3. Nuk mund të thuhet se këtë 1/3 ia jep prokurori apo gjykata pasi atë ia jep ligji”,- thotë Vishaj.

Sipas tij, deri më tani Kodi Penal parashikon dënime maksimale për krime të rënda, ndaj është detyrim i sistemit t’i japë ato sipas rastit.

Pak ditë më parë, në një tryezë me grupet e interesit, ku mungonin avokatët, ministri i Drejtësisë propozoi dënim jo më të ulët se 38 vite burg për vrasjet në familje, vrasjen e policëve, vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, dënime këto që shkojnë deri në burg të përjetshëm.